Zona Kuqe

Policia dhe Sigurimi në kohën e diktaturës

Ndjekja dhe përgjimi 1

Ndër aktivitetet kryesore të Sigurimit ishte padyshim përvetësimi i videove dhe fotove të bëra në mënyrë të fshehtë, si dhe përgjimet audio. Për asnjë nga këto aktiviteteve nuk kërkohej miratimi i një gjykate. Fotot dhe videot bëheshin fshehurazi përmes ndjekjes që i bëhej të kontrolluarit. 

Ndjekja, e cila shërbente për të kontrolluar edhe vetëm lëvizjet e të dyshuarit apo takimet e tij me ndonjë kundërshtar të regjimit apo spiunë të huaj, kryhej sipas specifikave teknike që fillimisht mësoheshin nga instruktorë sovjetikë. Ndjekja bëhej nga punonjësit e Sigurimit (të quajtur edhe punëtorë ilegalë) ose nga agjentët operativë të tij. 

Për të siguruar suksesin e operacioneve, Sigurimi përdorte mjete të shumta maskimi dhe teknologji të ndryshme (prodhuar pothuajse gjithmonë në Bashkimin Sovjetik apo në Gjermaninë Lindore), duke përfshirë edhe aparatet e fshehura fotografike.

Rëndësi e madhe i kushtohej edhe përgjimit. Ai mund të kryhej në dy mënyra: duke përdorur radio-çimka (në fillim të importuara më pas të prodhuara në Shqipëri), ose duke përdorur mikrofona fikse (si në dhomën tjetër). Radio-çimkat, me dimension rreth 4 centimetra, ishin në gjendje të transmetonin në një largësi maksimale prej 200 metra, prandaj nevojitej gjithmonë praninë e një agjenti në zonë që të merrte sinjalin audio dhe të regjistronte. Radio-çimkat mund të fshiheshin në çdo objekt përdorimi të përditshëm: nga tavlla e një bari te pompa e një biçiklete; nga korniza e një pikture te një llullë.

Një nga mënyrat më të zakonshme që përdorej për të fshehur radio-çimkat quhej “corbak” dhe përbëhej nga një ristelë e thjeshtë druri e montuar në buzë të një tavoline dhe brenda saj fshiheshin mikrofoni dhe transmetuesi. Marrja e sinjalit në përgjithësi bëhej duke përdorur aparate radio normale me tranzitor të modifikuar posaçërisht: më i përdoruri ishte modeli “Rinia”, një radio me tranzitor e prodhuar në Rumani miratuar nga Sigurimi pasi ishte më e lehtë për t’u modifikuar. 

Agjenti operativ I Sigurimit, natyrisht i maskuar me rroba civile, qëndronte në zonën ku kryhej përgjimi, duke fshehur nën xhaketë radion “Rinia” dhe mbante një kufje për të dëgjuar, ndërsa me një regjistrues të vogël portativ regjistronte bisedën që ishte duke spiunuar.