Zona Jeshile

Paslufta: Shpresa dhe Zhgënjime

Rindërtimi politik, juridik dhe ekonomik i Shqipërisë

Drejtuesit komunistë përfituan nga rezistenca dhe sakrificat e shqiptarëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe u kapën fort pas legjitimitetit që i dha kjo rezistencë pushtetit të tyre. Detyra më e rëndësishme për ta ishte të rivendosnin sovranitetin e shtetit të shprishur për shkak të pushtimit italian dhe gjerman. Konferenca e Jaltës detyronte autoritetet qeverisëse, të dala nga lufta, për të legjitimuar pushtetin e tyre me anë të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ky ishte edhe premtimi që Enver Hoxha, në cilësinë e kryeministrit, u kishte bërë shqiptarëve menjëherë pas mbledhjes së KANÇ-it në Berat.


Më 2 dhjetor 1945 u mbajtën zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të vendoste mbi formën e regjimit në Shqipëri. Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm kandidatë të Frontit Demokratik dhe nuk pati parti apo individë në opozitë me të. Fronti Demokratik i fitoi këto zgjedhje me një rezultat të thellë. Më 10 janar 1946 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e dalë nga këto zgjedhje, dhe një ditë më pas, me unanimitet ajo shpalli Shqipërinë Republikë Popullore.


Menjëherë pas largimit të forcave ushtarake gjermane, Qeveria Provizore Demokratike ndërmori një projekt ambicioz për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga Lufta. Për një kohë të shkurtër, nga viti 1945-1947, u arrit të rindërtoheshin urat dhe rrugët kryesore të vendit; u riparuan një pjesë e mirë e shtëpive dhe shkollave të shkatërruara. Qeveria u mbështet në këtë fushatë në entuziazmin e shqiptarëve të sapoçliruar, ndihmat e UNRRA-s edhe të teknikëve dhe specialistëve italianë, që kishin mbetur në Shqipëri