Rezistenca shqiptare kundër pushtuesit italian
Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e pranuan pushtimin italian të vendit. Rezistenca, ndonëse e paorganizuar, por këmbëngulëse, e kujdesshme dhe në forma të ndryshme, filloi që në vitin 1939. Më aktivët ishin nxënësit e shkollave dhe një pjesë e profesorëve, të cilët reagonin, veçanërisht, kundër projekteve për fashistizimin e vendit. Në vitin 1941, veçanërisht pas Luftës Italo-Greke, kur shqiptarëve iu desh të përballeshin me pasojat e saj dhe vështirësitë ekonomike, rezistenca u bë më e përgjithshme. Çetat e para nacionaliste, të cilat u bënë pikënisja e një rezistence të armatosur kundër pushtuesit italian, u bënë më aktive.
Sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik forcoi grupin e shteteve që luftonin kundër ushtrive të Boshtit dhe u dha një motiv më shumë partive komuniste të përfshiheshin në rezistencë. Në harkun kohor prej një viti (1941-42) u krijuan PKSh-ja, Fronti Nacionalçlirimtar dhe Balli Kombëtar. Rezistenca e armatosur kundër pushtuesve italianë u bë më e organizuar. Çetat e Myslym Pezës, Haxhi Lleshit, Mestan Ujanikut, Abaz Kupit, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Skënder Muços etj. ndërmorën një sërë aksionesh kundër pushtuesve italianë.
Në pranverë të vitit 1943, Balli ftoi FNÇ-në për krijimin e disa komisioneve të përbashkëta koordinimi në rang lokal, të cilat ndërmorën dhe disa aksione të përbashkëta kundër pushtuesit italian, një nga të cilat ishte beteja e Gjormit në Vlorë. Rezistenca kundër pushtuesve, e drejtuar nga FNÇ/PKSh-ja, u zhvillua shpejt. Më 10 korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ-së dhe në gusht Brigada I S e UNÇ-së