Zona Vishnje

Shqipëria nën pushtimi gjerman

Pushtimi gjerman dhe rezistenca shqiptare

Më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi, por vendin e saj në Shqipëri e zuri ushtria gjermane. Ndryshe nga pushtuesit italianë, gjermanët nuk kishin interesa afatgjatë në Shqipëri, prandaj ndoqën një politikë më elastike ndaj shqiptarëve. Ashtu si pushtuesit italianë, edhe gjermanët ekzaltuan nacionalizmin e shqiptarëve duke ruajtur dhe forcuar organizimin e “Shqipërisë së Madhe”. Në tetor 1943, një “Asamble Kombëtare” abrogoi kushtetutën e vitit 1939 dhe shpalli pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë. U abrogua dhe ligji, sipas të cilit Shqipëria ishte në luftë me të gjitha ato shtete që Italia ishte në luftë. Politika e kujdesshme e pushtuesve gjermanë bëri që një numër i madh intelektualësh e politikanësh shqiptarë, me një histori të spikatur patriotizmi, të pranonin të bashkëpunonin me ta.


Gjatë pushtimit gjerman ndryshoi dhe konfiguracioni i grupeve të rezistencës. PKSh/FNÇ deklaroi menjëherë se nuk e pranonte pushtuesin e ri dhe se do të luftonte aktivisht kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij. Njëkohësisht, PKSh-ja denoncoi edhe marrëveshjen e arritur në Mukje ndërmjet FNÇ dhe Ballit Kombëtar dhe u kërkoi strukturave të veta politike dhe ushtarake t’i sulmonin çetat e Ballit. Nga ana e tij, Balli Kombëtar adaptoi një politikë tërësisht antikomuniste, duke mbajtur fillimisht qëndrim pritës ndaj pushtuesit dhe, më pas, bashkëpunues me ta.


Në arenën politike shqiptare, në vjeshtën e vitit 1943, del dhe një grupim i ri politik, Partia e Legalitetit, e përbërë nga mbështetësit e mbretit Zog. Edhe ndaj këtij grupimi të ri, PKSh/FNÇ mbajti një qëndrim armiqësor. Të gjitha këto shënuan, krahas rezistencës kundër pushtuesit, dhe tiparet e një lufte civile në Shqipëri