Zona Vishnje

Shqipëria nën pushtimi gjerman

Rezistencë kundër pushtuesit, por edhe luftë për pushtet

PKSh/FNÇ shfrytëzoi me shumë kujdes gabimet e bëra nga rivalët e tij politikë (bashkëpunimin e BK-së me pushtuesit gjerman dhe pasivitetin e Legalitetit në rezistencën kundër tij), dhe i diskreditoi ata. Duke fituar tashmë etiketimin si i vetmi grupim politik në vend, i cili po luftonte pushtuesin, ai njëkohësisht fitoi kështu një popullaritet gjithnjë e më të madh dhe mbështetje prej Aleatëve të Mëdhenj.


Operacionit gjerman i Dimrit, 1943-1944, e vendosi Ushtrinë Nacionalçlirimtare në një pozitë mjaft të vështirë. Nga pranvera e vitit 1943 e më pas, ajo arriti të riorganizohej dhe të forcohej me një vitalitet mbresëlënës. Tanimë, drejtuesit e PKSh-së filluan të mendonin më seriozisht edhe për pushtetin e tyre të së nesërmes. Që në prill 1944 filloi përgatitja për thirrjen e Kongresit të Përmetit (24-28 maj 1944), i cili krijoi strukturat e para qeverisëse të FNÇ-it dhe mori vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, duke përfshirë dhe ndalimin e mbretit Zog për t’u kthyer në Shqipëri.


Pas këtij Kongresi, rezistenca kundër pushtuesit dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë në kuadër të luftës për pushtet, u bënë binome të pandashme. Në qershor 1944, Enver Hoxha, tashmë i zgjedhur si komandant i përgjithshëm i UNÇ-së u dha urdhër formacioneve partizane të kalonin Shkumbinin dhe të hidheshin në Veri të vendit, ku, krahas gjermanëve, sulmuan dhe forcat e krerëve shqiptarë të Veriut, midis të cilëve dhe Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, lëvizjen Kryeziu etj