Ana e errët e regjimit: propagandë dhe dhunë
Regjimi komunist, që u vendos menjëherë pas çlirimit, bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Si të gjitha regjimet, ai u mbështet në dy shtylla. E para ishte propaganda, e cila përdorej për të glorifikuar arritjet e regjimit, për të përligjur politikat e tij, por mbi të gjitha për të ngritur kultin e individit të drejtuesve kryesorë komunistë, veçanërisht të Enver Hoxhës. Shtylla tjetër ishte dhuna. Ajo ishte institucionalizuar nga një paketë ligjesh, të cilat shkelnin çdo lloj të drejte individuale, si dhe nga një sistem burgjesh e kampesh përqendrimi të shpërndara në të gjithë vendin.
Që në vitin 1945 u krijuan disa gjykata speciale për të gjykuar bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe pjesëmarrësit në organizatat “reaksionare”. Njëkohësisht, filloi edhe një fushatë e gjerë për të shtypur dhunshëm të gjitha grupimet kundërshtare. Gjyqi i klerikëve të të ashtuquajturit “Bashkim Kombëtar”; gjyqi i anëtarëve të Partisë Bashkimit Demokratik, si Gjergj Kokoshi e Musine Kokalari; gjyqi i ish-nxënësve të Shkollës Teknike të Fultz-it, gjyqi i deputetëve, janë vetëm disa nga ngjarjet që tregojnë prirjen e hershme të regjimit për të shtypur egër çdo kundërshtar politik. Fushata kundër praktikave dhe besimeve fetare, e nisur në vitit 1967, ishte një tjetër dëshmi që tregonte për nevojën e regjimit për uniformitet të skajshëm politik e social.
E, ndërsa fillimi ishte më i dhunshëm për kundërshtarët politikë, procesi u bë i frikshëm edhe për vetë drejtuesit komunistë. Valë të herëpashershme arrestimesh e dënimesh bëheshin sa herë që regjimit i duheshin fajtorë për dështimet e politikave të tij ekonomike, apo për të mbytur çdo shenjë të disidencës në vend