BUNK'GALLERY

Polakët, turistët besnikë të Bunk'Art 1 dhe historisë shqiptare

Çdo javë, Bunk'Art 1 mirëpret grupe prej 30 apo 40 turistësh polakë, të shoqëruar nga guidat e tyre, ata vijnë për t’u njohur më thellë me disa nga periudhat e historisë shqiptare. Ky bunker i transformuar në muze është kthyer një destinacion i preferuar për turistët polakë që vizitojnë Tiranën, veçanërisht ata që kanë një interesë të veçantë ndaj historisë. Adhuruesit e historisë, mbeten të mahnitur nga struktura unike e muzeut.

Bunk'Art 1 paraqet historinë e disa dekadave, duke nisur nga Lufta e Parë Botërore, përmes Luftës së Dytë Botërore dhe diktaturës komuniste. Ekspozitat e muzeut udhëheqin vizitorët në një rrugëtim përmes ngjarjeve dhe transformimeve që kanë formuar Shqipërinë e sotme. Turistët mbeten të prekur nga historitë e luftës, represioni dhe vuajtjet që populli shqiptar ka përjetuar gjatë regjimit komunist.

Ndërkohë, për ata që kërkojnë të mësojnë më shumë mbi periudhën më të errët të komunizmit, Bunk'Art 2, në qendër të Tiranës, i dedikohet vuajtjeve të shqiptarëve nën mbikëqyrjen dhe persekutimin e policisë sekrete, Sigurimi. Ky muze ofron një pasqyrë të hollësishme mbi terrorin e përjetuar nga populli, duke theksuar kontrollin e ashpër të jetës private nga shteti.

Për shumicën e turistëve, vizita në këtë muze është një përvojë që prek emocionalisht. Ata shprehin respekt të thellë jo vetëm për betejat që shqiptarët kanë kaluar, por edhe për mesazhin që muzeu përcjell mbi rëndësinë e lirisë individuale dhe kombëtare.

Me rritjen e numrit të grupeve turistike nga Polonia që zgjedhin Bunk'Art 1 si pjesë të itinerarit të tyre në Shqipëri, muzeu vazhdon të jetë një urë mes së kaluarës së vendit dhe vizitorëve që kërkojnë të mësojnë mbi të kaluarën e errët të Evropës Lindore.