Zona Kuqe

Policia dhe Sigurimi në kohën e diktaturës

Letrat anonime, revolta e fshehur ndaj regjimit

Letrat anonime ishin një formë e qartë dhe e hapur e shprehjes së revoltës ndaj regjimit diktatorial, për kushtet e vështira të jetesës, pakënaqësitë, mungesën e lirisë, etj.

Përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist, ky fenomen ka qenë i pranishëm dhe në fokusin kryesor të Sigurimit të Shtetit për zbulimin e “armiqve” të Partisë. 

Në këto letra, të pakënaqurit guxonin të shanin edhe vetë Enver Hoxhën, madje ndonjëherë duke i shkruajtur atij direkt. Disa prej këtyre letrave ishin të sofistikuara me shkrim të ngatërruar me shkronja kapitale, pa dhënë asnjë adresë apo indikacion që të zbulohej. Por në raste të tjera edhe pse anonime, këto letra niseshin nga posta e qytetit dhe rrethi për zbulimin e autorit ngushtohej e hetimi bëhej më i lehtë për agjentët e Sigurimit.

Po ashtu ishin edhe disa letra, të quajtura “anonime”, edhe pse kishin në fund emër, mbiemër dhe vendin nga shkruhej. Autorët e tyre cilësoheshin të sëmurë mendorë apo me luhatje emocionale. Sidoqoftë edhe këto letra shqyrtoheshin me kujdes.

Në strukturat e Sigurimit të Shteit, zbulimi i autorëve të këtyre letrave ishte një prej detyrave shumë të rëndësishme. Në disa raste hetimet kishin rezultat pozitiv dhe autori i zbuluar mund të tregonte edhe miq të tij, me të cilët ndante pakënaqësitë.

Në raste të tjera hetimet nuk jepnin rezultat dhe autori mbetej anonim përgjithmonë. Studimi i këtyre letrave që ruhen në fondet arkivore në AQSH dhe Arkivin e Ministrisë së Brendshme dëshmon gamën e gjerë të pakënaqësive të shqiptarëve nën regjimin komunist, tëcilët përmes kësaj forme kishin gjetur mundësinë të shpreheshin pa doreza, duke i shpëtuar akuzës për “agjitacion e propagandë”.

Por ky fenomen mori edhe një përmasë tjetër sidomos pas vitit 1967, me përhapjen e fletërrufeve. Letrat anonime me sulme personale, shpesh në formë hakmarrje, denonconin tek udhëheqësit e partisë, persona të caktuar dhe ndryshe nga fletërrufetë, ku dihej kush ishte autori, këtu denoncimi ishte i fshehtë. Prej kësaj doli edhe shprehja e famshme e asaj periudhe “Një anonime poshtë derës”.

Por në të gjithë format, letra anonime ishtë një “mjet i dashur” i regjimit, që shpesh përdorej për të kontrolluar humorin e popullsisë dhe për të gjetur gjurmë të kundërshtarëve kur ishte e mundur.