Ndjekja dhe përgjimi 2
Përveç përgjimeve përmes radio-çimkave, Sigurimi ishte i specializuar edhe për përgjimet fikse.
Ndryshe nga përgjimi përmes radios, përgjimi fiks nuk shfrytëzonte transmetimin e valëve të radios, por përdorte mikrofona të lidhur me anë të një teli te një ose më shumë regjistrues. Nëpërmjet kësaj teknike kryheshin zakonisht përgjimet ndaj të burgosurve, të huajve, të cilët qëndronin në hotele dhe të qytetarëve të zakonshëm të dyshuar për veprimtari armiqësore ndaj Partisë dhe për këtë përgjoheshin direkt në shtëpitë e tyre.
Dhomat e hoteleve kryesore kishin mikrofona të lidhur me tela me një regjistrues qendror që mund të ndodhej edhe disa kilometra larg. Edhe qelitë e burgjeve dhe stacionet e policisë kishin fshehur brenda tyre mikrofona fiks të lidhur me kabllo me një sallë regjistrimi e cila zakonisht ndodhej në të njëjtën ndërtesë.
Por, si përgjohej një person në shtëpinë e tij? Në këto raste Sigurimi përdorte si bazë shtëpinë e një komshiu, i cili si rrjedhojë bëhej automatikisht bashkë-punëtor. Mikrofoni futej në një vrimë të bërë në murin që ndante dy banesat. Proçedurat e instalimit dhe maskimit të mikrofonit në vrimë kryheshin kur në shtëpinë që do të kontrollohej nuk kishte njeri dhe brenda të cilës Sigurimi hynte shumë lehtë duke përdorur çelësa të rreme. Në shtëpinë e komshiut bashkë-punëtor vendosej regjistruesi. Sigurimi kishte një regjistër të posaçëm në të cilin shënonte të gjitha shtëpitë e bashkë-punëtorëve që kishin regjistrues të aktivizuar.
Me një teknikë të ngjashme, por duke përdorur një aparat të veçantë fotografik me objektiv në formë tubi i cili kalohej përmes murit, fotografohej në mënyrë të fshehtë brenda banesës së kontrolluar si dhe takimet e “dyshimta” që mund të bënin aty banorët e saj.