Zona Kuqe

Policia dhe Sigurimi në kohën e diktaturës

Sigurimi i Shtetit, epoka e Koçi Xoxes

Dokumentacioni i Luftës së II Botërore dëshmon se përpjekjet e para serioze për krijimin e Shërbimit Informativ datojnë në pranverë-verë 1944. Por vetëm në nëntor të këtij viti jepen dëshmitë e organizimit të mirëfilltë të këtij institucioni që më vonë do të ishte shtylla kryesore e mbrojtjes së pushtetit të komunistëve.

Si datë zyrtare e themelimit të Sigurimit të Shtetit është 14 dhjetori i 1944-ës, kur ngrihet Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, që kishte të njëjtën strukturë dhe veprimtari madje edhe të njëjtin emër si OZNA Jugosllave. Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit që njihet edhe si emërtesa e parë e Sigurimit të Shtetit, përbëhej në qendër nga 4-5 seksione të ndara sipas profileve dhe kishte në varësi tre seksione të mbrojtjes së popullit: seksioni i Tiranës (përfshinte dhe Durrësin dhe Elbasanin); Seksioni i Beratit (me Korçën Gjirokastrën dhe Vlorën); Seksion i Shkodrës (me Kukësin dhe Peshkopinë).

Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit udhëhiqej nga drejtori Koçi Xoxe, zëvendësi i tij ishte Nesti Kerenxhi dhe pasohej nga figura e tretë drejtuese Vaskë Koleci. Në verën e 1946 Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit mori emërtesën Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Detyra e organeve të Sigurimit të Shtetit ishte kryesisht goditja e kundërshtarëve politikë por edhe mbrojtja e pushtetit.

Deri në shkurt 1945 kishin arrestuar 4.500 kundërshtarë të regjimit që i akuzonin për krime kundër shtetit. Lufta e forcave të mbrojtjes së popullit e më vonë Sigurimit të Shtetit ishte fokusuar më shumë në veri të vendit. Sipas raporteve zyrtare në vitin 1945 Sigurimi kishte vrarë drejtpërdrejt 70 persona, në 1946 kishte vrarë 65, më 1947 kishte vrarë 44 persona dhe më 1948 kishte vrarë 21 të tjerë. Realisht viktimat jo zyrtare kanë qenë patjetër më shumë.

Nga ana organizative, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit kishte këto seksione: seksioni 1 zbulimi; seksioni 2 mbrojtja e pushtetit; seksioni 3 mbrojtja e ekonomisë; seksioni 4 kartoteka; seksioni 5 kundërspiunazhi; seksioni 6 sigurimi i ushtrisë.

Në nëntor 1947 krijohet edhe seksioni i hetuesisë dhe seksioni i personelit.

Organet e Sigurimit të Shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj, gjë që solli edhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kjo anë e dhunshme e Sigurimit të Shtetit u forcua në periudhën kur drejtohej nga Koçi Xoxe, pas arrestimit të të cilit në 1948, pasoi një fushatë e hapur e denoncimit të saj. Qindra dokumente në arkivat shqiptare dëshmojnë forma çnjerëzore të torturave të ushtruara nga punonjësit e Sigurimit. Por me arrestimin më 1948 dhe pushkatimin e tij si tradhëtar, vetë Koçi Xoxe bëhet viktimë e këtij sistemi.