Krijimi i Xhandarmërisë

Pak javë pasi ishte shpallur shteti shqiptar më 28 Nëntor 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13 janar 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit.

Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Funksionet administrative i kryente policia, e cila pati si drejtor të parë Halim Gostivarin.

Arma e Xhandarmërisë mori formë në qershor 1913, kur u formuan 3 batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, nga kapiten Ali Tetova në Berat dhe nga major Ismail Haki Tatzati në Elbasan.

Më 3 qershor 1913 u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës “mbi formimin e Milicisë shqiptare”. Qeveria më 20 dhjetor 1913 nxori edhe vendimin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”. Në mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Këta oficerë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha për të bërë organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit në Durrës, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari.

Sipas kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria dhe Milicia. Kjo e fundit ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë.