Dhoma e Hetuesisë

Çdo qytetar i thjeshtë apo politikan gjatë regjimit komunist mund të hetohej për të vërtetuar nëse kishte kryer apo jo një krim.

Ndryshe nga hetimet mbi krimet e zakonshme (që i besoheshin ekskluzivisht policisë), hetimet e krimeve që klasifikoheshin si “krime kundër shtetit” kryheshin nga Sigurimi dhe shoqëroheshin pothuajse gjithmonë me arrestimin parandalues të të dyshuarit: në raste të tilla “faktet” mblidheshin më pas, shpesh ishin të rreme, të manipuluara ose të marra nëpërmjet torturës. “Krimet kundër Shtetit” parashikoheshin në Kodin Penal apo nga ligje të veçanta për çdo kundërvënie ndaj regjimit, ndaj sistemit komunist dhe drejtuesëve të tij. “Armiqtë e popullit” (konsideroheshin të tillë edhe ish-anëtarë të partive jo-komuniste), akuzoheshin normalisht për krime si “agjitacion dhe propagandë”, krjimin e organizatave kundër pushteti, tentativa arratisje nga shteti, etj.

Hetuesia ka qenë pjesë funksionale e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në vitet 1950 – 1974. Nga viti 1974 deri 1983 hetuesi ishte një oficer i Ministrisë së Brendshme, kurse pas 1983 ai ishte një civil. Edhe kur hetuesi nuk ishte më zyrtarisht pjesë e Sigurimit, ai ishte gjithmonë një person besnik i partisë dhe i lidhur me Sigurimin. Hetuesia zhvillohej në ambjentet e degëve të punëve të brendshme, vende të errëta dhe larg syve kureshtarë, ku të pandehurit i nënshtroheshin herë pas here pyetsorëve të ashpra gjatë të cilëve përdorej rregullisht tortura. 

Në periudha te ndryshme, gjate viteve te regjimit perveç torturave, gjate procesit hetimor, kanë ndodhur edhe abuzime seksuale me femrat. Aq sa ne vitet ‘60 kishin dale edhe urdhëresa për t’i parandaluar rastet. Nje prej ketyre urdhëresave me nr. 01-15, datë 1.8.1966, pika 2, ndalonte marrjen në pyetje të femrave pa qenë prezent edhe një person i tretë në zyrën e hetuesit. Rastet e dhunimit të femrave vërtetohen me dokumentat që ndodhen në këtë dhomë.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri duke dëgjuar historitë e të mbijetuarve, ka përpiluar një listë me 35 lloje të ndryshme torturash (kjo listë është e ekspozuar në këtë dhomë). Për të kryer hetime dhe për të mbledhur “fakte” hetuesi kishte gjithashtu të drejtën të kryente përgjime dhe të merrte në pyetje, nëpërmjet çdo metode që konsideronte të nevojshme, miqtë dhe të afërmit e të akuzuarit. 

Pas marrjes së “dëshmisë” nëpërmjet përdorimit të forcës, i akuzuari detyrohej shpesh të lexonte një proces verbal të gjatë, në të cilin përfshiheshin pyetjet e hetuesit dhe përgjigjet e dhëna dhe ky lexim që regjistrohej kthehej në “dëshminë spontane” të të akuzuarit në provat kryesore kundër tij gjatë gjykimit. Asnjë fazë e marrjes në pyetje nga hetuesi nuk ndodhte në praninë e një avokati. Hetimi mund të zgjaste nga 3 deri në 24 muaj dhe përfundonte vetëm pas vendimit të dënimit nga gjykata.