Forcat e Kufirit
Kufijtë e Shqipërisë janë përcaktuar në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Më 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me aktin e saj final të nënshkruar nga Britania e Madhe, Franca, Italia e Japonia, në njërën anë, dhe prej përfaqësuesve të Shqipërisë, Greqisë e Jugosllavisë, nga ana tjeter, caktoi perfundimisht vijën ndarëse të kufijve ndërmjet këtyre vendeve.
Në 25 shkurt 1929 u krijua për herë të parë Roja Mbretërore e Kufirit, që ishte një organizatë ushtarako-financiare, e cila kishte si detyrë të ndalonte, shtypte dhe parandalonte kontrabandën dhe veprimtaritë kriminale në kufi, mosbindjet ndaj ligjit dhe rregulloreve të financës, të ndihmonte në mbrojtjen e rregullit dhe qetësisë publike dhe në rast lufte angazhohej në operacione fushore. Kjo mënyre organizimi vazhdoi deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia. Gjatë pushtimit fashist Roja Mbretërore e Kufirit u bashkua me “Guardia di Finanza” (Policinë Financiare) italiane.
Pas çlirimit nga nazi-fashistët në vitin 1944, nga njësitë partizane dhe nga komandat e vendit u krijuan Forcat Kufitare dhe Policia Popullore. Forcat e Kufirit, të krijuara zyrtarisht në 25 Prill 1945 deri në vitin 1991, ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme.Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ato janë transferuar nën Ministrinë e Mbrojtjes. Që nga viti 1994 janë kthyer nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme duke ndryshuar emrin në Polici Kufitare.
Mbrojtja e kufijve të jashtëm konsiderohej nga regjimi i Enver Hoxhës po aq e domosdoshme sa shtypja e çdo forme të opozitës së brendshme dhe kjo shpjegon rëndësinë që Forcat e Kufirit kanë pasur gjithmonë gjatë gjithë propagandës komuniste të nxitur nga diktatori. Qëllimi i Forcave të Kufirit ishte të parandalonin arratisjen e shtetasve shqiptarë jashtë vendit (vepër për të cilën dënoheshe me vdekje) dhe të bllokonin çdo hyrje të paligjshëm të shqiptarëve apo të huajve nga jashtë (në këtë rast emigrantët e paligjshëm rrezikonin gjithashtu dënimin me vdekje pasi konsideroheshin “diversantë”). Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të shpërndara në vitin 1990, duke filluar nga 1949 kanë qenë rreth 1.000 shqiptarë të vrarë nga Forcat e Kufirit ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufijtë e vendit. Vetëm në vitin 1990 vrasjen në kufi ishin 54, e fundit më 20 dhjetor 1990 në Shkodër. Nga statistika zyrtare të Ministrisë së Brendshme mbi arrestime të kryera për arsye politike, në periudhën 1949 – 1990, tregohet se nga 1953 deri 1961 shkaku kryesor i arrestimeve ishte përpjekja për t’u arratisur përtej kufirit. Një rekord ky që u përsërit në periudhat 1962 – 1967, dhe 1983 – 1989.
Njësitë e Forcave të Kufirit përbëheshin kryesisht nga të rinj shqiptarë të rekrutuar nga shërbimi ushatarak i detyruar, i cili gjatë periudhës komuniste zgjaste për tre vjet. Duke pasur parasysh delikatesën e funksionit të tyre, këta të rinj zgjedheshin nga familjet më besnikë ndaj partisë. Në aktivitetin e kontrollit përgjatë kufijve përfshihej edhe popullsia lokale e cila trajnohej në
mënyrë periodike: të cilët ishin edhe të vetmit civilë që kishin leje për të mbajtur armë në shtëpi, kryesisht trofe të Luftës së Dytë Botërore, pushkë të vjedhura nga nazistët. Për këtë arsye edhe gjatë procesit të “çpopullimit” që filloi në vitin 1945, partia komuniste u kujdes që të largonte nga zonat kufitare të gjitha familjet që konsideroheshin më pak besnike ndaj regjimit dhe urdhëroi transferimin e tyre në vende larg kufijve.