Zona Kuqe

Policia dhe Sigurimi në kohën e diktaturës

Fotografia si provë dhe manipulimet

Që në vitet e para, në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, sektorit të fotografimit dhe filmimit sekret, iu kushtua një vëmendje e posaçme. Përmes teknikave që zhvilloheshin nga viti në vit siguroheshin fotografi dhe filmime që më vonë përdoreshin si provë në gjyq a material shtrëngues në hetuesi. 

U përdor që në vitet ‘45-‘46, sidomos në aksionet e Sigurimit kundër klerit katolik dhe kundërshtarëve politik të regjimit. Në këto aksione, shpesh 
inskenoheshin ngjarjet, pra nuk fotografohej një moment real, por inskenohej një i tillë pas arrestimit dhe fotografimi apo filmimi bëhej për të përligjur dënimin, shpesh kapital (me pushkatim apo varje) dhe nxitur urrejtjen popullore. Një prej ngjarjeve më të njohura të inskenuar në këtë mënyrë ishte ajo e “Armëve në Kishë”, të cilën e kemi prezantuar në këtë dhomë.    

Me ardhjen e këshilltarëve sovjetik dhe ndikimin e tyre në metodat e punës së Sigurimit të Shtetit, filmimi dhe fotografimi sekret u perfeksionuan më tej. Konsiderohej si një nga metodat më të sakta të fiksimit të veprimeve, të vendeve  dhe të dokumenteve me interes operativ dhe realizohej si në distanca të afërta, brenda në lokale apo  mjedise të hapura deri edhe në distanca të mëdha deri 300 metra, por edhe në kushtet e ndriçimit të 
kufizuar.

Punën kryesore në këtë sektor e bënin punëtorët operativë ilegalë, të cilët pajiseshin me aparate të llojeve të ndryshme fotografike shpesh të maskuara në trup (siç kemi rastin e një palltoje që tregohet në këtë dhomë). Fotografimi bëhej në fshehtësi gjatë kohës së ndjekjes dhe vëzhgimit. Punëtorët operativë ilegalë trajnoheshin në fillim të punës së tyre për njohjen e aparateve fotografike dhe përdorimin e tyre përmes një kursi 5 ditor. Ndërsa një laborator i mirëpajisur ishte gritur në një prej bazave sekrete të Sigurimit në kryeqytet (baza 71), ku fotografitë dhe filmimet përpunoheshin në kohë rekord.

Por fotografia nuk është përdorur vetëm si mjet fiksimi apo si provë inkriminuese. Ajo shpesh është përdorur edhe si mjet propagande përmes manipulimeve. Përveç sektorit të fotografimit e filmimit sekret në Drejtorinë e Sigurimti të Shtetit ishte edhe sektori i botimeve, i cili përpunonte fotografitë në shërbim të propagandës së kohës por edhe manipulimet që bëheshin me mënyra të sofistikuar.  Në këtë dhomë kemi paraqitur disa shembuj fotosh të manipuluara, shpesh përmes prerjes dhe ngjitjes e ndonjëherë edhe fshirjes e ngjyrosjes. Manipulimi ndodhte kur në foto gjendej një “armik”. 

Fushatat e manipulimit dhe spastrimit ndizeshin kryesisht pas “zbulimit” të grupeve armiqësore si: në ushtri, në ekonomi, në kulturë, në Ministrinë e Brendshme, etj.