Historiku i Policisë Popullore
Krijimi i Armës së Policisë popullore shënohet me 14 maj 1945. Ajo u sanksionua me ligjin nr.114, datë 30 gusht 1945. U krijua pranë Këshillave Nacional Çlirimtare të prefekturave, nënprefekturave dhe lokaliteteve.
Policia popullore përbëhej prej Policisë së Përgjithshme dhe kishte si degë të veçantë Policinë e Komunikacionit (Rrugore) dhe Policinë Zjarrfikëse.
Me dekret nr.242 datë 9 dhjetor 1946 Presidiumi Popullor shpalli ligjin “Mbi Policinë Popullore”, sipas së cilit policia popullore kishte për detyrë ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike; ruajtjen e pasurisë shtetërore dhe enteve të shtetit; zhdukjen e vagabondazhit dhe krimeve në përgjithësi; sigurimin e burgjeve dhe vendeve ku mbaheshin personat nën vërejtje; mbajtjen e regjistrave për persona të dënuar dhe të dyshimtë, etj.
Sipas një dekret ligji të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.390, 10 janar 1947 u krijua sektori për zbatimin e vendimeve penale, i cili ekzekutonte vendimet e dënimeve me vdekje, dënimet me heqje të lirisë, dënimet me punë të detyruar, dënimet me konfiskim të pasurisë ose internim, etj.
Në nëntor 1947 u krijuan edhe dy organe ndihmëse të policisë popullore: Policia e Stabilimenteve dhe e Industrisë dhe Policia Ndihmëse e Fshatit. E para u ngrit pranë ndërmarrjeve industriale dhe kishte detyrë të siguronte ndërtesat, makineritë dhe pasuritë e ndërmarrjes si dhe të mbikqyrte njerëzit e dyshimtë, të zbulonte dhe ndalonte sabotimet ekonomike, të denonconte autorët e veprave kriminale, etj. Ndërsa Policia Ndihmëse e Fshatit u ngrit pranë këshillave të lokaliteteve.
Në shërbim përfshiheshin të gjithë banorët meshkuj të fshatit të aftë për shërbimin ushtarak, të cilët gjatë shërbimit mbanin në krahun e majtë një shirit të kuq 6 cm të gjerë dhe me shkronjat P.L. (Policia e Lokalitetit). Mes detyrave të tyre ishte edhe vëzhgimi dhe sinjalizimi për njerëzit që shkonin e vinin, sidomos për shtetasit e huaj.
Me riorganizimin dhe perfeksionimin e armës së Policisë, në varësi të saj u krijua edhe sektori i hetuesisë. Hetuesia e Policisë Popullore, ndryshe nga hetuesia që zhvillohej nga Sigurimi i Shtetit hetonte vetëm çështjet kriminale që cilësoheshin ordinere, pra jo krimet politike dhe çështjet e “armiqve të popullit”.
Po ashtu në fshatra e lokalitete kishte shumë më pak policë se sa agjentë të Sigurimit. Për shembull disa kooperativa dhe fshatra ruheshin vetem nga një polic, i quajtur “i plotfuqishmi” nderkohë që survejoheshin nga dhjetra agjentë të Sigurimit.
Në fillim të vitit 1982 pas alarmit për zbarkime të disa grupeve me komando nga vendet fqinjë u hodh ideja e krijimit të repartit 326, të quajtur ndryshe “Sampistët”. Ata ishin të aftë të kryenin aksione të shkallës më të lartë të rrezikshmërisë. Ky ishte reparti i vetëm që ishte i pajisur me mburoja dhe skafandra, mjete të cilat, për shkak se nuk kishte pasur kurrë as edhe një rast demonstratash popullore në Shqipëri, nuk ishin përdorur, deri në trazirat e ambasadave në korrik 1990.