Survejimi i të huajve
Gjatë viteve të regjimit komunist, çdo i huaj që shkelte territorin shqiptar merrte vulën “i dyshuar” dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit e kishin nën vëzhgim të përhershëm përsa kohë qëndronte në Shqipëri. Për survejimin e përfaqësive diplomatike, në Tiranë ishin ngritur katër baza. Në rrugën “Ismail Qemali” ishte ngritur baza me numrin 20, me 43 efektivë të cilët survejonin përfaqësitë diplomatike gjermane, italiane, franceze, rumune dhe vjetnameze sikurse edhe dy përfaqësi tregtare rumune e gjermane. Kjo bazë kishte 3 pika survejimi nga të cilat njërën të përhershme.
Me të njëjtën logjikë ishin ngritur edhe bazat 30 dhe 40 për përfaqësitë e tjera të huaja në Tiranë. Ndërsa baza 50 ishte ngritur me qëllim ndjekjen e tyre dhe përbëhej përgjithësisht nga agjentë shoferë (të specializuar për ndjekjen e automjeteve).
Drejtuesi kryesor në survejimin e të huajve ishte Oficeri i Drejtimit të Turizmit, i cili organizonte punën agjenturalo-operative me të huajt në të gjithë Republikën. Për të kryer këtë detyrë ai ishte kamufluar si zv. Drejtor i Albturizmit.
Më tej survejimi i hoteleve, bëhej përmes një skeme të mirëmenduar nga Sigurimi. Në këto hotele, ishin vendosur punonjës të Sigurimit, po ashtu të maskuar në detyra të caktuara. P.sh. në Hotel Tirana shefi i sigurimit ishte kamufluar si shefi i pritjes së hotelit. Ai kishte në varësi edhe një punëtor operativ në hotel dhe bashkë me të organizonin punën agjenturale-operative. Po ashtu, punëtori operativ i hoteleve turistike në plazhin e Durrësit ishte kamufluar si zv.drejtor i hoteleve turistike. Ndërsa në Hotel Dajti punëtori operativ ishte kamufluar si shef i pritjes së hotelit.
Dhomat e caktuara për të huajt në këto hotele, ishin të pajisura me teknikë operative (TO) dhe survejoheshin 24 orë në ditë. Pak metra larg hotel Dajtit në “Shtëpinë e Gjetheve”, me një pajisje përgjimi ku ishin shënuar numrat e dhomave nën survejim dëgjohej gjithçka ndodhte aty. (Foto të kësaj pajisje dhe shënimet për dhomat e hotel Dajtit janë ekspozuar në këtë dhomë.)
Përveç se survejoheshin, turistët që hynin në Shqipëri duhet edhe t’i bindeshin rregullave të rrepta estetike që i detyronin ata të prsinin flokët dhe basetat, nëse ju gjykoheshin shumë të gjata dhe në kontrast me “estetikën Socialiste”. Për këtë qëllim, që nga viti 1975, në pikat kryesore
kufitare u vu në shërbim një berberane e posaçme dhe një dyqan veshjesh, për t’i “lejuar” turistët që të përshtasnin stilin e tyre me atë që duhej për të hyrë në vend.
Femrat e huaja, që ishin martuar me shqiptarë apo kishin zgjedhur të jetonin në Shqipëri ishin po ashtu të vëzhguara me kujdes. Në këtë dhomë kemi ekspozuar listat që Sigurimi kishte hartuar për femrat e huaja që jetonin në të gjithë qytetet e Shqipërisë.
Survejimi i të huajve, sidomos i përfaqësive diplomatike njohu kulmin në vitin 1989 – 1990, në prag të mësymjes së ambasadave në korrik 1991, si përpjekje për të frenuar ikjen masive të shqiptarëve të lodhur nga izolimi dhe varfëria.