Kampi me tela me gjemba
Menjëherë pas çlirimit nga nazi-fashistët, regjimi i ri komunist filloi hakmarrjen e tij ndaj armiqve të brendshëm politikë. Shumë prej tyre i pushkatuan ose i arrestuan dhe vetëm disa arritën të largoheshin nga vendi, duke lënë pas familjet e tyre. Hakmarrja e regjimit u shtri kështu në familjet e kundërshtarëve, për të cilët u ndërtuan kampe të vërteta përqendrimi. Në mungesë të një përkufizimi zyrtar dhe një legjislacioni që t’i legalizonte (i cili u miratua vetëm në vitin 1949), këto qendra mizore internimi sot quhen “kampe me tela me gjemba”.
Dy kampet e para janë ndërtuar në mars 1945 në Krujë dhe në Berat. Kampet e rrethuara me tela me gjemba dhe të mbrojtura nga roje të armatosura, ndërtoheshin në bazat e vjetra ushtarake italiane, depot e braktisura ose kasollet prej druri, në kushte të tmerrshme higjienike.
Ata që u deportuan në kampet e përqendrimit ishin trashëgimtarë ose të afërm të të arratisurve, të burgosurve politikë, ose të
partizanëve të dezertuar nga ushtria komuniste. Pra internoheshin persona që nuk ishin drejtpërdrejt fajtorë, por ishin të afërm të
personave të padëshiruar të regjimit. Ka pasur edhe shumë të huaj (kryesisht monarko-fashistë grekë, nazistë gjerman dhe fashistë
italian). Të burgosurit e kampeve të përqendrimit detyroheshin të punonin në kushte çnjerëzore, me pak ushqim dhe pa asnjë lloj
kujdesi shëndetësor. Shpesh ata flinin në tokë, ndonjëherë pa batanije dhe pa patur të drejtën që të ndiznin zjarr.
Me internimet, në vitet 1945 – 1949, janë marrë forcat e ushtrisë, kryesisht Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, forca operative e diktaturës. Në vitin 1949 doli dekreti i parë i internimeve dhe filloi punën Komisioni i Internimeve dhe Konfiskimeve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kampe përqendrimi të këtij lloji janë ndërtuar në 9 zona të ndryshme të Shqipërisë deri në vitin 1953, kur u mbyllën dhe u zëvendësuan nga kampet e internimit. Më i madhi dhe më famëkeqi nga kampet me tela me gjemba ishte ai në Tepelenë (1949-1953), të cilin e denoncoi edhe qeveria Amerikane në OKB në vitin 1955. Të krahasueshëm me kampet naziste për nivelin e mizorisë me të cilin trajtoheshin banorët e tij, kampet e përqendrimit shqiptarë ishin të banuara kryesisht nga gra, të moshuar dhe sidomos fëmijë, të cilët ishin fëmijët e të internuarve.
Të dhënat e shtatorit 1947 të cituara nga studiuesi shqiptar Kastriot Dervishi, flasin për shembull se në të dy kampet e internimeve të Krujës e Beratit ndodheshin 895 të internuar, prej të cilëve 193 burra, 324 gra dhe 372 fëmijë. Tmerri i kampeve të përqendrimit vazhdon edhe sot të jetë një njollë e errët në historinë e komunizmit shqiptar, pasi mungon pothuajse tërësisht dokumentacioni zyrtar. Sipas llogaritjeve të fundit, bazuar në dokumentet e pakta të gjetura, në këto kampe ishin izoluar mbi 3000 persona, shifër kjo, që nuk përfshin fëmijët. Ata që vdiqën në këto kampe, nga sëmundjet apo uria, numërohen me qindra, por edhe ky numër ende nuk njihet saktësisht.