Të dënuarit me vdekje dhe të zhdukurit
Në periudhën 1944 – 1991, mbi 6.000 persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë.
Ka edhe raporte të shumta ku thuhet se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetvrasje. Edhe në këto raste trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit edhe në qoftë se ai vdiste. Por, megjithatë, qëllimi i vërtetë ishte parandalimi i shndërrimit të varreve të të burgosurve politikë në vende simbolike për mitingje apo protesta kundër Partisë.
Gjatë viteve institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të pa identifikueshme. Një nga zbulimet e para të eshtrave të të pushkatuarve ishte në vitin 1993, pranë Urës së Beshirit në Tiranë, ku u gjetën 22 të pushkatuarit për incidentin e bombës në ambasadën Sovjetike. Në vitin 2010 u zbulua edhe një varrezë masive afër Malit të Dajtit. Si rezultat i zhvarrimeve nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore, 13 trupa u gjetën si dhe mbetje, të cilat ende nuk janë identifikuar.
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende (hot-spot) ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist. Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) dhe autoritetet shqiptare janë angazhuar publikisht për të nisur një fushatë identifikimi dhe kërkimi të të zhdukurve duke ndërmarrë hetime serioze në mënyrë që të paraqesin të dhëna të besueshme mbi ekzistencën e këtyre vendeve. Miratimi i Ligjit për hapjen e dosjeve të regjimit
komunist mund të shërbejë si një mjet i dobishëm për të ecur përpara me këtë proces.
Kodi Penal i regjimit të Enver Hoxhës numëronte 34 krime të dënueshme me dënim me vdekje mes të cilave 12 ishin krime politike, si “arratisje nga shteti” (Art. 47), sabotim i “ekonomisë socialiste dhe i organizimit e administrimit të Shtetit” (Art. 53) apo “agjitacion dhe propagandë fashiste, anti-demokratike, klerikë, luftënxitëse dhe anti-socialist” (Art. 55). Në vitin 1952, në kohën e manisë së “spiunazhit anglo-amerikan” u prezantua dënimin me vdekje për të gjithë “komplotistët kundër shtetit”.
Disa krime politike si Art. 55, ishin pjesë e Kushtetutës. Në maj të vitit 1990 u krye një liberalizim i parë i Kodit Penal, duke reduktuar në 11 krimet për të cilat parashikohej dënimi me vdekje.
Lista e personave të dënuar me vdekje për motive politike, gjatë regjimit komunist, përfshihen në veçanti intelektualë, politikanë, tregtarë, pronarë tokash dhe klerikë. Dënimi me vdekje vazhdoi të zbatohej në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, por vetëm për krime të zakonshme. Dënimi i fundit me vdekje ndaj kriminelëve të zakonshëm është dhënë në Tiranë më 15 mars 1995. Pas disa muajsh u prezantua një moratorium, i cili çoi në shfuqizimin definitiv të dënimit me vdekje, në vitin 1999.