BUNK'GALERI
Sezoni turistik 2025 ka nisur me energji në Bunk’Art 2
Që në ditët e para të pranverës, muzeu i Bunk'Art 2 në zemër të Tiranës ka mirëpritur grupe të shumta studentësh nga vende të ndryshme të Europës, të cilët kanë zgjedhur Bunk’Art 2 si pjesë të itinerarit të tyre turistik në Shqipëri.
Pjesëmarrja e gjerë e të rinjve në këto vizita është dëshmi e qartë se Bunk’Art 2 është tashmë një destinacion i njohur ndërkombëtarisht dhe i preferuar nga ata që kërkojnë të kuptojnë më thellë historinë e Shqipërisë dhe periudhat e saj më të errëta.
Muzeu ofron një përvojë unike nën tokë, ku historia e shtetit, periudha e diktaturës dhe mekanizmat e kontrollit të popullsisë gjatë regjimit totalitar shqiptar shpalosen në mënyrë të qartë dhe të ndjeshme. Kjo e bën atë një pikë referimi të rëndësishme për edukim historik dhe ndërgjegjësim qytetar.
Ndërsa sezoni turistik 2025 vijon, Bunk’Art 2 mbetet një nga atraksionet kryesore për vizitorët vendas dhe të huaj që kërkojnë më shumë se një vizitë turistike, një përvojë që mbetet gjatë në mendje.