BUNK'GALERI
Bunk’Art 2 – Histori të çuditshme nga diktatura në Shqipëri
Një vizitë në Bunk’Art 2 nuk është vetëm një udhëtim në periudhën e diktaturës në Shqipëri, por edhe një ballafaqim me absurditetet e jetës së përditshme në atë kohë. Përtej dhimbjes dhe frikës, sistemi prodhoi edhe situata të çuditshme që sot duken të pabesueshme. Në këtë muze, historia nuk është vetëm fakt, por edhe rrëfim i çuditshëm i një realiteti të kontrolluar deri në detaj.
Kur modeli i flokëve ishte çështje shtetërore… Në fund të viteve ’80, turistët që vinin në Shqipërinë e izoluar duhet të ndalonin fillimisht… tek berberi. Para se të shihnin bregdetin, duhej të prisnin flokët por edhe te visheshin sipas standardeve të diktaturës. Një rregull absurd, por që ilustron qartë mënyrën se si pushteti tentonte të kontrollonte edhe pamjen personale.
Manipulimi i imazhit, një armë e heshtur… Në Bunk’Art 2 ekspozohen foto të manipuluara, ku figura të padëshiruara nga regjimi thjesht fshiheshin me një prerje ose montazh. Një kujtesë e se “e vërteta” nuk ishte kurrë e sigurt, por prodhohej sipas interesit të pushtetit.
Sytë që të ndiqnin kudo… Në një tjetër hapësirë të muzeut, janë të ekspozuara objekte të përditshme që përdoreshin nga agjentet e spiunazhit, si: radio, llampa, madje edhe vet pajisjet e përgjimit të fshehura në objekte te zakonshme. Ishte një kohë kur bisedat e zakonshme në shtëpi, në punë apo në shkollë, mund të përfundonin në një dosje të Sigurimit.
Nga bunker sekret në muze kujtese
Ndërtuar për të mbrojtur zyrtar të lartë të shtetit në rast të një sulmi kimik, sot Bunk’Art 2 është shndërruar në një hapësirë reflektimi. Muret e trasha të betonit nuk fshehin më frikën, por tregojnë historinë. Ato dëshmojnë për absurditetet dhe dhunën e një sistemi, por edhe për forcën e kujtesës që i mbijeton kohës.
Këto histori të çuditshme nga diktatura nuk janë thjesht kuriozitete. Janë pasqyra të një realiteti ku kontrolli kishte depërtuar deri në detaje të vogla të jetës. Vizita në Bunk’Art 2 është një mundësi për të kuptuar jo vetëm dhimbjen e së kaluarës, por edhe ironinë e absurditeteve që sot duken të pabesueshme.

