BUNK'GALERI

''Dhoma e Manipulimeve” në Bunk’Art 2 – Iluzion, propagandë dhe reflektim mbi një të kaluar të zymtë

Në zemër të Bunk’Art 2, një nga hapësirat më të veçanta dhe më të vizituara të këtij sezoni është “Dhoma e Manipulimeve”, një përvojë vizuale dhe psikologjike që sfidon perceptimin e vizitorëve dhe sjell në vëmendje mekanizmat e propagandës gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Kjo dhomë nuk është thjesht një ekspozitë. Ajo është një eksperiment ndërmjet artit dhe historisë, ku iluzionet optike me përmbajtje ideologjike, krijojnë një atmosferë që i çon vizitorët drejt reflektimit të thellë mbi mënyrën sesi e vërteta mund të manipulohet.

 

Çfarë e bën këtë dhomë kaq të veçantë?

Janë pikërisht iluzionet optike, të cilat më shumë se thjesht të habitin, kanë për qëllim të nxisin pyetje: Si është përdorur manipulimi vizual dhe psikologjik për të formësuar mendësinë e një kombi? Në këtë dhomë, perceptimi vihet në prove, një mënyrë simbolike për të kuptuar se si realiteti u shtrembërua përmes propagandës.

Një eksplorim artistik-historik, që tregon analogjitë mes artit të iluzionit dhe artit të propagandës. Provoni të shikoni nga një kënd tjetër, ndoshta do të ndiheni të zhytur në një realitet të pazakontë, të ndërtuar mbi vizione ideologjike, ku e vërteta nuk është gjithmonë ajo që duket.

“Room of Manipulations” është kthyer në një nga pikat më tërheqëse të Bunk’Art 2 këtë sezon. Kjo dhomë nuk ka për qëllim vetëm të tregojë historinë, por të ndajë me vizitorët një pjesë të mendësisë dhe teknikave të kontrollit që ushtronte regjimi.

 

Për një përvojë më të plotë, vizitoni Bunk’Art 2 për të eksploruar më tej: strukturën e Sigurimit të Shtetit, mjetet e spiunimit, dëshmitë dhe rrëfimet personale të atyre që e kanë përjetuar sistemin represiv, dhe për të reflektuar mbi lirinë, dhe rëndësinë e kujtesës historike.