Zona Viole

Shqipëria nën Italinë Fashiste

Mbledhja e Mukjes dhe kapitullimi i Italisë

PKSh/FNÇ dhe Balli Kombëtar e kërkonin bashkëpunimin me njëri-tjetrin, por modalitetet e këtij bashkëpunimi ishin të ndryshme. Drejtuesit e PKSh-së kërkonin që Balli Kombëtar të përfshihej si organizatë në FNÇ, ndërsa Balli, i cili nuk e njihte Konferencën e Pezës, kërkonte një bashkëpunim dualist mes tij dhe PKSh-së. Në Konferencën e Labinotit (korrik 1943), Fronti caktoi një komision, të përbërë nga Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi dhe Myslim Peza, të ftonte Ballin Kombëtar në një takim. Gjatë muajit korrik kontaktet u intensifikuan. Përfaqësuesit
e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar u takuan në fillim në Tapizë (26 korrik 1943) dhe më pas në Mukje (1-3 gusht 1943). Në këto takime u arrit një marrëveshje për bashkimin e forcave në luftë kundër pushtuesit, si dhe u morën vendime të rëndësishme edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke përfshirë edhe njohjen e Shqipërisë Etnike.


Në korrik 1943, komandot e trupave aleate arritën të zbrisnin në Sicili. Një ditë para se përfaqësuesit e FNÇ-së dhe Ballit Kombëtar të takoheshin në Tapizë, në Itali, me një grusht shteti, ishte rrëzuar Benito Musolini. Gjenerali Badoglio, i cili erdhi në krye të qeverisë italiane, po përgatiste një marrëveshje armëpushimi me Aleatët e Kombeve të Bashkuara. Kapitullimi i Italisë, që pritej të ndodhte nga dita në ditë, u shpall më 8 shtator 1943