Shtëpia socialiste
Në kulturën kombëtare shtëpia përfaqëson zemrën dhe simbolin e familjes së gjerë shqiptare. As regjimi komunist, i cili e vuri në krizë të thellë sistemin e pronës private, nuk guxoi kurrë ta mohonte këtë parim.
Edhe pse, kryesisht në fillim të viteve të pasluftës, ndodhën mijëra raste shpronësimi të banesave, sidomos kundrjet tregtarëve të pasur dhe
pronarëve (të ashtuquajtur “Kulak”), në vitet e regjimit shtetasit shqiptarë ishin të lirë përgjithësisht që të blinin një banesë në pronësi të tyre. Shtëpitë për shitje ose që ndërtoheshin në tokën në pronësi, ishin kryesisht shtëpi me një ose dy kate, dhe quheshin (siç edhe quhen akoma) “shtëpi private”.
Pjesa më e madhe e popullsisë që nuk kishte mundësi financiare për të blerë ose ndërtuar një shtëpi private, jetonte me qira në pallatet që ishin prona të shtetit ku paguanin një tarifë mujore. Caktimi i këtyre apartamenteve shtetërore bëhej me lejen e partisë. Një metodë e njohur për të marrë me qera banesën nga shteti ishte pjesëmarrja me punë vullnetare në ndërtimin e saj (duke qenë se banesat nuk mjaftonin për të tërë ju jepej prioritet atyre që kontribuonin në ndërtimin e tyre). Nëse një apartament i shtetit konsiderohej nga partia si shumë i madh për familjen të cilës i caktohej për të jetuar, shteti mund ta detyronte atë që të bashkëjetonte me një ose më shumë familje të tjera edhe pse nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.
Shtëpitë ishin të gjitha shumë të ngjashme si në arkitekturë dhe në dekor. Mobiljet bliheshin në tregun vendas, ku kishte në dispozicion disa modele standarde të prodhuara ekskluzivisht në Shqipëri, të cilat ndryshonin vetëm nga madhësia dhe çmimi.