Sporti në Shqipëri (1945 – 1990)

Regjimi komunist shqiptar e konsideroi sportin dhe edukimin fizik të popullit si një nga shtyllat, ku mbështeste fort ideologjinë dhe pushtetin, duke përgatitur nga njëri dhjetëvjeçar në tjetrin breza të tërë, që do të ishin të gatshëm për luftë në “çdo moment kur të kishte nevojë atdheu”. Një qëndrim i ngjashëm ky me atë të shumë diktatorëve të vendeve të tjera.


Në shkollat shqiptare çdo ditë mësimi fillonte me ushtrime gjimnastike, të cilat zhvilloheshin në klasë dhe pikërisht nxënësit bashkë me ushtarët ishin protagonistët kryesorë në aktivitetet e mëdhaja sportive që organizoheshin për nder të diktatorit Enver Hoxha. Krahas edukimit fizik, që u shtri nga shkollat fillore e deri në kooperativat më të largëta nëpër fshatra, edhe zhvillimit të mirëfilltë të sporteve iu kushtua një vëmendje dhe investim i posaçëm. Fillesat e sportit në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore shënohen në vitin 1945, kur edhe krijohet Federata Sportive Shqiptare (FSSH). Vetëm një vit më vonë më 1946 përurohet i pari stadium në Shqipëri: stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” dhe në të njëjtin vit Shqipëria shpallet edhe kampione e Ballkanit në futboll.

 

Në vitin 1948 hapet shkolla e parë e fizkulturës (Teknikumi i Fizkulturës në Tiranë) dhe një vit më vonë krijohet Komiteti i Kulturës Fizike e Sportive të Shqipërisë. Në vitin 1957 krijohet Organizata e Bashkimit të Fizkulturistëve e Sportistëve të Shqipërisë (BFSSH). Në fushën e edukimit sportiv, një hap i rëndësishëm hidhet në vitin 1958 kur krijohet Instituti i Lartë i Kulturës Fizike (ILKF) “Vojo Kushi”. Një ngjarje me rëndësi ishte krijimi në vitin 1959 i Komitetit Olimpik Shqiptar, vit kur Shqipëria pranohet edhe në radhët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive në Shqipërinë e regjimit komunist ishin spartakiadat kombëtare. Çdo aktivitet kremtohej me publikimin e një pulle festive. E para spartakiadë kombëtare u zhvillua në Shqipëri në vitin 1959. Nga viti në vit, sportistët shqiptarë u paraqitën denjësisht edhe në përballjet ndërkombëtare, në rang Ballkani, Europe dhe Bote duke rrëmbyer shpesh medalje të arta e të argjendta në shumë sporte si atletikë, qitje, volejboll etj. Për mundësinë që kishin atletët për të udhëtuar jashtë shtetit, ishin pikërisht edhe ndër figurat më të ndjekura për kontrolle nga “Sigurimi”, policia sekrete komuniste. Në Shqipërinë e regjimit komunist, kishte edhe disa sporte, të cilat në periudha të caktuara ishin të ndaluara, pasi cilësoheshin si sporte të dhunshme siç ishte p.sh Boksi.