Arsimimi në Shqipëri (1945 – 1990)

Në Shqipërinë e pas luftës, siç ndodhi në fusha të tjera, edhe në arsim u ndërmorën disa reforma. Hapi i parë në fushën e arsimit ishin kurset kundër analfabetizmit të cilat njohën një përhapje të gjerë në çdo cep të Shqipërisë nga 1945 deri ne 1949.

FUSHATA KUNDER ANAFALBETIZMIT

Sipas regjistrimit të 30 shtatorit 1945, në një popullsi prej 1.122.044 banorë, numri i analfabetëve ishte 911.410 banorë, ose 81.22% e popullsisë. Në vitin 1945 ishin hapur 566 kurse ku mësonin për herë të parë shkrim e këndim 10.243 vetë. Për këtë fushatë kundër analfabetizmit u punua kryesisht në rrugë vullnetare. Në vitin 1949 miratohet ligji për arsimin, sipas të cilit detyroheshin moshat deri në 40 vjeç të merrnin bazat e shkrimit dhe këndimit. Nga një regjistrim i këtij vitit (1949) rezultoi se pas 5 vjetësh kishin mësuar shkrim e këndim rreth 130.000 vetë dhe kishin mbetur ende 420.000 analfabetë. Në vitin 1955 u shpall publikisht se në Shqipëri ishte likuiduar analfabetizmi deri në moshën 40-vjeç. Por në bazë të të dhënave arkivore faktohet se një pjesë e popullsisë nuk arriti të mësonte shkrim e këndim, sidomos moshat e mëdha. Ky problem ka vazhduar edhe në vitet e mëvonshme, por lufta vijoi, në heshtje, jo e shpallur si fushatë.

NGRITJA E SHKOLLAVE

Arsimi fillor dhe 7 vjeçar
Hallka më e zhvilluar në vitet e para të pasluftës ishte arsimi fillor. Në vitet ‘50 hapen shkollat e para 7-vjeçare. Në vitin 1960-1961 u arrit në 557 shkolla 7-vjeçare.


Arsimi i mesëm
Sa i takon arsimit të mesëm, në vitin 1946-1947 funksiononin vetëm 6 gjimnaze në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Si dhe institute teknike po në Tiranë. Vetëm një vit më vonë numri i shkollave të mesme arriti në 20. Arsimi i mesëm e pati zhvillimin në vitet ‘60 dhe kryesisht arsimi profesional, pasi qeveria kishte interes për të nxjerrë kuadro të mesëm profesionalë që i mungonin vendit.


Arsimi i lartë
Gjatë fazës së parë që u shtri deri në mesin e viteve ’50 u hodhën themelet e shkollës së lartë. Fillon në 1946-n me hapjen e Institutit Pedagogjik të Tiranës, 2 vjeçar, i cili kishte si degë Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Histori, Gjeografi, Shkenca Biologjike dhe Fizikë e Matematikë. Pas 1951, u hapën edhe institute të tjera 3 dhe 4- vjeçare për pedagogji, dhe u vijua deri në vitin 1957. Në vitin shkollor 1955-1956 sistemi i arsimit të lartë në vend përfshinte 6 Institute 4 dhe 5 vjeçare me 22 fakultete dhe rreth 1595 studentë. Me 3 qershor 1957 me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u krijua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT), i cili nisi të funksiononte si i tillë që nga shtatori i atij viti. Universiteti Shtetëror i Tiranës hapi dyert për herë të parë me 16 shtator 1957. Ndërsa në vitin 1962 u krijua edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, në Kamëz.

REFORMAT DHE IDEOLOGJIZIMI I SHKOLLAVE

Pas Luftës, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, arsimi shqiptar mori një formë të re. Tashmë shkolla ishte e tipit socialist, që mbronte dhe brumoste një shoqëri socialiste. Si model, sidomos pas 1948-s, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, shkolla shqiptare u orientua nga shkolla ruse. Në vitet ‘60 shënohet reforma e dytë dhe në vitin 1963 del ligji i ri mbi riorganizimin e sistemit arsimor. Ligji parashikonte kalimin nga sistemi 7-vjeçar në sistemin 8-vjeçar. Kulmi arrin me reformën e tretë që u quajt “Revolucionarizimi i mëtejshëm i shkollës”, e nxitur që nga viti 1967 nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, pas një fjalimi të Enver Hoxhës për revolucionarizimin e shkollës. Ligji doli në fund të vitit 1969 dhe zbatimi filloi në vitin 1970 dhe vijoi deri me rënien e regjimit. Kjo reformë e tretë pati një ndikim të thellë në shkollë, e cila u ideologjizua në mënyrë të tejskajshme. U rrit shumë dhënia e lëndëve të drejtpërdrejta politike, si historia e Partisë, Marksizmi etj. Por ideologjizimi u thellua edhe në të gjithë lëndët e tjera duke depërtuar në çdo qelizë të shkollës. Letërsia dhe historia ishin dy nga lëndët ku ideologjia arriti kulmin. Veprimtaria e shkollës u organizua mbi bazën e atij parimi që u quajt trekëndëshi revolucionar që ishte: mësim, punë prodhuese dhe edukim fizik e ushtarak. Të gjithë programet dhe tekstet u realizuan mbi këtë trekëndësh. Kjo e dëmtoi shkollën sidomos ideoligjizimi i tejskajshëm sepse përgatiti një brez sipas modelit që regjimi e quante “Krijimi i njeriut të ri”.