Zona Viole

Shqipëria nën Italinë Fashiste

Shqipëria nën Italinë fashiste

Gjatë viteve 1939-1940, pushtuesit italianët ndërmorën një sërë masash për aneksimin politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë. Një sërë ligjesh dhe dekretesh zhbënë sovranitetin e shtetit, ndërsa, në mënyrë të sforcuar, u importua fashizmi, ideologjia e pushtuesit.


Nga ana tjetër, nga pushtuesit italianë u ndoq një politikë e kujdesshme, e cila synonte të krijonte një klimë të qetë në Shqipëri, në funksion të planeve të tyre për Ballkanin. Ata ndërmorën një sërë projektesh ndërtimesh publike e fushatash ndihmash sociale, si dhe mikluan sedrën nacionaliste të shqiptarëve, duke nxitur irredentizmin e tyre.


Kjo politikë i ndihmoi pushtuesit italianë të mbanin në kontroll rezistencën e shqiptarëve deri në fillimin e Luftës Italo-Greke, në të cilën ushtria italiane e Musolinit pësoi një disfatë të turpshme. Gjatë dimrit 1940-1941, ushtria greke zmbrapsi atë italiane, duke përparuar në Shqipërinë e Jugut dhe pushtuar qytetet kryesore: Gjirokastrën, Korçën etj. Vija e Frontit ndaloi në malet e Tepelenës. Nderin e ushtrisë italiane e shpëtoi vetën ndërhyrja e forcave ushtarake gjermane të Hitlerit, të cilat pushtuan Ballkanin në pranverë të vitit 1941.


Në prill 1941, pas një marrëveshjeje dypalëshe Ciano-Ribentropp, kufijtë e Ballkanit rikonfigurohen dhe Italia ia arriti të bashkonte e të fuste nën zonën e saj të pushtimin, pjesën më të madhe të territoreve të banuara nga shqiptarët në Ballkan, duke krijuar të ashtuquajturën “Shqipëri të Madhe”.