Një hap më shumë drejt çlirimit, një hap më shumë drejt pushtetit
Dorëzimi i Rumanisë dhe kapitullimi i pritshëm i Bullgarisë e detyruan Berlinin t’u jepte urdhër forcave ushtarake gjermane të tërhiqeshin nga Ballkani. Në shtator 1944, në përgatitje të kësaj tërheqjeje, pushtuesit gjermanë në Shqipëri e centralizuan të gjithë pushtetin në duar e tyre. Imazhi i pavarësisë relative, tani ishte zhbërë plotësisht.
FNÇ/UNÇ-ja, të kujdesshëm që të fitonin simpatinë e Aleatëve, veçanërisht atyre Perëndimorë, u angazhuan ta vështirësonin tërheqjen e ushtrive gjermane nga Shqipëria, duke u përfshirë në luftime të ashpra ndaj tyre, më i rëndësishmi ishte ai për çlirimin e Tiranës.
Drejtuesit e FNÇ/PKSh-së u kujdesën gjithashtu të lanin përfundimisht hesapet edhe me kundërshtarët e tyre politikë. Enver Hoxha u bëri presion Misioneve Britanike që të largoheshin nga Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari dhe Gani Kryeziu. Forcat e UNÇ-së i sulmuan forcat e Kryezinjve dhe M. Bajraktarit duke e detyruar shumicën e tyre të linte Shqipërinë.
Njëkohësisht, me këto zhvillime FNÇ/PKSh-ja hodhi hapin tjetër drejt pushtetit. Më 20 tetor 1944 u mblodh në Beratin e çliruar, Mbledhja e Dytë e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Një nga vendimet e saj më të rëndësishme ishte krijimi i Qeverisë Provizore Demokratike. Enver Hoxha ishte njëkohësisht: kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Luftës dhe për Mbrojtjen Kombëtare. Më 28 nëntor 1944, Qeveria Provizore hyri në Tiranë, kryeqytetin e vendit, ndërsa një ditë më vonë trupat e UNÇ-së hynë në Shkodër. 29 nëntori i vitit 1944 e gjeti Shqipërinë të lirë