BUNK'GALERI

“Art dhe shkencë” nga doktori italian në Bunk’Art 1, prezantohen veprat e artit

*Fotot Antonio Çakshiri

Përreth dy orë, në ambientet e Bunk’art 1 u bënë bashkë “arti dhe shkenca”. Doktori italian Matteo Gelardi prezantoi dhjetë vepra arti të krijuara nga qelizat e hundës së njeriut në tablo. Ai ndali në detajet, se si ishin krijuar veprat e artit, duke i ilustruar me dy prej tyre, të emëruara “Bing-bang” dhe “Kristalizimi”.

Në këtë aktivitet që ndodh për herë të parë në Shqipëri, doktor Gelardi, i cili është edhe iniciator i “Artit dhe Shkencës”, rrëfeu procesin e tij të përditshëm me pacientët, kërkimet me shkencën, por edhe se si të jetuarit me këtë proces e bëjnë atë që të sjellë një këndvështrim tjetër, që e bën jetën më të bukur edhe më të thjeshtë.

Veprat e Matteos, kërkimet që ai bën brenda hundës së njeriut futën publikun e pranishëm në situata misterioze, kur ai ndali tek “Bing-bang” dhe “Kristalizimi”.

Nuk mjaftoi vetëm kurioziteti se si krijoheshin këto vepra arti, por edhe mesazhi i fortë i doktorit, se si përpara se të mbillen pemë në një qytet, duhet më parë që të merret në konisderat edhe mendimi i një biologu për to, ndryshe pasojat tek shëndeti i njeriut janë shumë të mëdha.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kuratori Artan Shabani, i cili e cilësoi një risi, kur mikrodetajet në forma të ndryshme formojnë situatën piktorike.

Gjatë prezantimit të veprave nuk mungoi as muzika. Për herë të parë në këtë atmosferë të krijuar nga shpjegimi i doktorit, kornisti Ilir Kodhima bashkë me bandin e tij, sollën muzikë të veçantë edhe mistike, “Nocturne” edhe pjesë për alphorne, që u luajt për herë të parë në Shqipëri.

Ëmbëlsira ishte për në fund, sepse arti dhe shkenca, nuk marrin jetë vetëm në kanavacë, por edhe në veshjet plot ngjyra dhe stil unik të realizuara nga vajza stiliste e doktor Matteos, Giovanna Gelardi