BUNK'GALERI

Iluzionisti italian Walter Rolfo dhuron spektakël në Bunk'Art

*Fotot Antonio Çakshiri

Një sallë ku do të mbaheshin mbledhjet e Kuvendit të Shqipërisë e kthyer në një skenë magjike, anëtarë partie te shqetësuar nga sulmi bërthamor këmbyer me një publik të magjepsur nga numrat dhe historitë.

E kjo ishte vetëm një pjesë e magjisë që iluzionisti italian Walter Rolfo solli në Bunk'Art1.

Numra magjie që ndërthureshin me rrëfimin personal sollën për publikun shqiptar një spektakël origjinal. Po si ishte për Rolfon të performoje në një bunker?

"Është një vend që krijohet për të qenë i mbyllur dhe është një nga simbolet e globalizmit. Lind për ti mbajtur larg të huajt, e në fakt tani është një nga pikat kryesore turistike në Shqipëri. Para 30 vitesh të bëhej magji këtu apo në ndonjë vend tjetër ishte e rrezikshme. Ndaj besoj se kjo është magjia më e madhe. Të transformosh diçka, të bësh lojra shpejtësie, të krijosh iluzione do të thotë të transformosh diçka të shëmtuar në të bukur, ashtu siç është bërë me këtë bunker", u shpreh Rolfo. 

Në sallën e stërmbushur, Walteri shkëmbeu me publikun shqiptar mesazhe të rëndësishme, duke i bërë edhe pjesë e spektaklit që dhuronte në skenë. 

"E desha shumë publikun shqiptar dhe mbase e kuptuat që trasmetuam të njejtat emocione. Gjithçka ishte woow, e ngrohtë, me duartrokitje,e qeshur, kështu që shpresoj të kthehem sërish", u shpreh tha ai. 

Carlo Bollino, Ideator dhe kurator i përgjithshëm i BUNK’ART, shprehet se do të sjellë vazhdimisht për publikun gjithçka të ndaluar në komunizëm, pjesë e së cilës ishte edhe Bunk'Magic.