BUNK'GALERI
Fakte interesante rreth Bunk'Art 1
Bunk'Art 1 ishte vëndstrehimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i kohës së Luftës së Ftohtë.
Vëndstrehimi është një ndërtesë fortifikatë kundërbërthamore, e cila zhvillohet në trajtë lineare, në 5-së kate në nëntokën e kodrës më në Lindje të kryeqytetit, pra, në kontakt me vargun malor ku shtrihet Mali i Dajtit.
Punimet janë kryer në fshehtësi dhe jashtë vëmendjes së banorëve të fshatrave që e rrethojnë vëndstrehimin e Komandës së Përgjithshme. Territori ku shtrihet vëndkomanda e luftës së viteve 70-të ka qenë dhe është një vend i mbuluar mirë nga bimësi e dendur dhe nuk dukej nga aviacioni i kohës as nga një distancë e afërt.
Në brendësi të territorit të ish garnizonit, ku gjendet sot muzeu Bunk'Art 1, gjatë periudhës së komunizmit ndodheshin në gatishmëri disa aparate ushtarake me funksione të ndryshme (në mbështetje të funksionimit të gjithanshëm të kësaj komande strategjike të kohës së Luftës së Ftohtë), ku në mes tyre Objekti 0774 dhe Objekti 0777 (përkatësisht: Njësia e Ndërlidhjes (e rezervës) së Shtabit të Përgjithshëm dhe Vëndkomanda Nr.: 1 e projektuar për qëndresë në rast të një lufte gjithëpërfshirëse ose/edhe me përdorimin e Armëve të Shkatërrimit në Masë).
Në planin e mbërritjes nga Tirana, në këtë vëndkomandë ishin disa rrugëkalime për të hyrë si dhe parashikohej dalje për një evakuim të mundshëm në rast nevoje nga tjetër orientim gjeografik për tu larguar drejtë një tjetër rajoni mbrojtje (në skalion të 2-të), kjo për një përshkallëzim situacional, jashtë kontekstit të një lufte konvencionale e që do të zgjaste.
Në ndërtimin e fortifikimeve janë përfshirë një numër institucionesh ushtarake dhe civile (në procese të ndryshme pune parafabrikuese), ndërsa zbatimi në terren është kryer nga Brigada e Xhenios së Divizionit të Tiranës.
Dyert e jashtëme, janë dyer kundërshpërthim dhe peshojnë nga 4 ton secila. Ato janë të përbëra nga beton i Markës: C60 i përforcuar me element çeliku në brendësi të tyre, të cilat janë ndërtuar në vend ku do të montoheshin (pra, aty ku ndodhen sot), pasi në disa raste transportimi dhe montimi i tyre do të paraqeste vështirësi të shumta nëse do ti parafabrikonin diku tjetër.
Thelbësisht, materiali për realizimin e këtij projekti fortifikimi është vendas.