BUNK'GALERI

Pema e Vitit të Ri e Shqipërisë nën diktaturë ekspozohet në Bunk'Art

Ajo që në gjithë botën e krishterë quhet “Pema e Krishtlindjes”, në Shqipëri është quajtur gjatë 45 viteve të komunizmit “Pema e Vitit të Ri”. Kjo pemë është ekspozuar në Bunk'Art 1. Megjithëse shumë historianë mendojnë se ka origjinë pagane, bredhi i zbukuruar si për festë konsiderohej si një simbol fetar e kështu diktatori Enver Hoxha kishte urdhëruar ta quanin ndryshe. Në Bunk'Art1 qytetarë shqiptarë, të rinj e të moshuar, turistë mund të kujtojnë dhe të shohin se sa e varfër, por edhe kreative ishte Pema e Vitit të Ri në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar nga e gjithë bota. Zinxhirë me fleta punëdore me ngjyra, pambuk në imitim të dëborës, kartolinat e ardhura nga miqtë, të afërmit, kolegët e fqinjët, kapele prej kartoni, ishin disa prej zbukurimeve që pasuronin festat e shqiptarëve në kohën e diktaturës komuniste.